Kistat e Nofullave
Kistat e nofullave paraqesin larmi në shumellojshmërinë e tyre dhe në vite u janë dhënë emërtime të ndryshme, duke u orientuar nga indi, origjina, klinika, imazheria dhe histopatologjia. Një kist është një kavitet patologjik, i veshur me epitel dhe që ka përmbajtje likidi ose materiali gjysmë solid. Në mjekësi, “cyst” do të thotë thjesht “hapësirë”.
Kistat janë mjaft të shpeshta në regjionin O.M.F., dhe njohja e tyre ka rëndësi sepse në disa raste ato janë lezione destruktive. Në nofulla, kistat shfaqen si kavitete brenda kockës, të veshura me epitel dhe me përmbajtje likidi seroz, me ngjyrë nga e verdha në kafe, në të cilin shpesh hasen kristale kolesterine dhe elemente qelizore, të rrethuara nga një paret prej indi lidhor fibroz. Këto quhen edhe “kiste të vërteta”, për t’i dalluar nga ato kavitete kockore që nuk kanë veshje të brendshme epiteliale dhe marrin emrin “pseudokista”.
Edhe në ditët e sotme nuk ka një klasifikim unik përsa i përket kistave të nofullave, të kavitetit oral si dhe të indeve të buta të fytyrës dhe qafës. Duke studiuar klasifikimet e autorëve të shumtë, si dhe mbështetur në eksperiencën e shkollës tonë, do të mundohemi të japim një klasifikim të përmbledhur dhe të hasur më shpesh në praktikën klinike.
Pjesa më e madhe e kistave zbulohen rastësisht në ekzaminimet radiologjike të rutinës. Megjithatë, duhet dyshuar për një kist të nofullave kur:
-
Hasim në një tumefaksion të lemuar dhe shpesh të pa dhimbshëm gjatë palpimit të nofullës.
-
Në palpim konstatojmë krepitacionin ose efektin ping-pong, si pasojë e atrofi zimit të kockës nga rritja graduale e kavitetit kistik. Gjithashtu, në palpim mund të ndjejmë fluktuacion; kur fluktuacioni ndjehet në dy zona të ndryshme të nofullës, atëherë mund të kemi kist multilakunar ose edhe dy kista.
I pari autor që u mor me studimin e kistave ishte Bichat (1803), i cili besonte se origjina e kistave duhet kërkuar në origjinën e tumoreve të tjera, duke i ndarë nga njëri-tjetri vetëm prej formës. Më vonë, Delpech (1816), duke studiuar kistat radikulare, hodhi idenë se kistat formohen si rezultat i një degjenerimi të tufës neuro-vaskulare të vetë dhembit. Autorë të shumtë pasuan, duke përmendur këtu: Boyer (1818), Diday (1839), Magitot (1874) etj., teoritë e të cilëve kanë tashmë vetëm vlera historike.
Vijmë kështu tek Malassez (1885 – teoria e “mbetjeve epiteliale paradontale”), teoria e të cilit, edhe sot, është më e pranueshmja për shpjegimin e origjinës së veshjes epiteliale të vetë kistave. Ky autor, pasi mori në studim nofulla pacientësh që nuk kishin formuar kista, zbuloi në secilën prej tyre ato që i quajti: debris epithelieux paradentaires (mbetje epiteliale paradentare, mbetje të epiteleve odontogjene), të cilat mbeteshin në nofulla edhe pas formimit të dhembit.
Kistat e nofullave, ky autor i ndau në bazë të origjinës dhe raporteve topografike me dhembet:
-
Kista sipërfaqësore subgingivare me prejardhje nga lamina epiteliale e kordonit të organit të zmaltit të dhembit të qumështit;
-
Kista mediane që zënë të gjithë gjatësinë e rrënjës dhe që kanë prejardhje nga lamina epiteliale e kordonit të organit të zmaltit të dhembit të përhershëm;
-
Kista të thella të lokalizuara pranë apeksit të rrënjës me prejardhje nga mbetjet e organit të zmaltit të denticionit të përhershëm.
Janë pikërisht këto të fundit, gjithmonë sipas këtij autori, ato që janë përgjegjëse për formimin e veshjes së kistave radikulare odontogjene. Përveç mbetjeve epiteliale odontogjene, ekzistojnë edhe mbetje epiteliale nga formimi i fytyrës gjatë stadeve embrionale, epitel që vesh strukturat embrionale gjatë shkrirjes së tyre dhe që mbeten në linjat e shkrirjes. Meqenëse këto linja përkojnë me fisurat, ky epitel merr edhe emrin epitel fisural.
Nëse Malassez zbardhi prejardhjen e veshjes epiteliale të kistave, etiopatogjeneza e tyre edhe sot nuk është tërësisht e qartë. Mendimi i përbashkët është që kistat radikulare kanë lidhje direkte etiopatogjenetike me proceset inflamatore kronike me karakter.
Mungesa e një dhembi në arkadë tek pacientët e rinj sjell dyshime për një kist folikular; tek pacientët e vjetër pas heqjes së dhembit, dyshohet për një kist rezidual etj. Kistat folikulare zakonisht formohen në dhembët që eruptojnë me vonesë, si molarët e pjekurisë, kaninet maksilare, premolaret e dytë etj.
Një lezion karioz masiv, dekolorim, frakture dhe mbushje masive e një dhembi në qendër të tumefaksionit sugjeron një kist radikular. Inklinimi i kurorave të dhëmbëve në drejtime të ndryshme indikon praninë e një kisti, gjithashtu, kur pas heqjes së një dhembi mund të kemi rrjedhje likidi kistik nga plaga, gjë që indikon praninë e një kisti, ose në disa raste kistat lënë pa trajtim me praninë e fistulës, në të cilën herë pas here rrjedh lëng kistik.
Kur kistat infektohen, tumefaksioni bëhet i dhimbshëm. Në raste të rralla mund të ndodhin fraktura patologjike të nofullave si rezultat i traumave relativisht të lehta. Disa herë mund të konstatohet dhe shfaqja e parestezisë si rezultat i zhvillimit ekspansiv të kistës dhe shtypjes së tufës neuro-vaskulare. Në disa raste rritja e kistës bëhet shkak për mosstabilitetin ose plagë dekubitale të shkaktuara nga protezat e lëvizshme të aplikuara prej vitesh.
Përveç imazherisë, për vendosjen e diagnozës së kistave shërben anamneza, klinika, histopatologjia dhe disa ekzaminime shtesë si punksioni probator, ekzaminimi bakteriologjik, elektrodiagnostiku për matjen e vitalitetit të dhëmbëve etj.
Trajtimi i kistave varet nga përmasat, regjioni dhe mosha e pacientit. Mënyrat më të përdorshme për trajtimin e kistave janë:
-
Marsupializimi (cistotomi): konsiston në shndërrimin e kistës në një kavitet “aneks” të gojës. Indikohet në…
-
Ekstirpimi (heqja “in toto”): përdoret për kista të dimensioneve të mëdha dhe në këto raste mund të sjellë dëmtime të strukturave fqinje si: sinusi maksilar, dyshemeja e gojës, tufa neuro-vaskulare e qafës etj.
-
Për kistat te fëmijët: kur folikujt e dhëmbëve të përhershëm janë të spostuar nga presioni i kistës, pas ndërhyrjes këta dhëmbë mund të zënë pozicionin e duhur në arkadë. Në rastet kur radiologjikisht në kist duken të përfshirë një numër i madh dhëmbësh, për të evituar dëmtimin e paketit neurovaskular të tyre, pas ndërhyrjes testohet periodikisht vitaliteti i dhëmbëve.
-
Enukleimi dhe suturimi “per primam” (cistektomi): konsiston në heqjen “in toto” të sakusit kistik dhe të përmbajtjes së tij. Ka si avantazh:
-
Mbylljen e shpejtë të defektit
-
Pacienti ka një periudhë të qetë post-operatore
-
Kontrollet post-operatore nuk janë aq të shpeshta
-
Monitorimi realizohet nëpërmjet radiografive, për 6 muaj për kistat e vogla dhe 1 vit për ato të mëdha.
-
