Sinuziti Maksilar Odontogjen
Patologjitë e sinusit maksilar, shpesh në praktikë, kërkojnë vëmendje dhe ekzaminime të sakta për të përcaktuar diagnozën dhe trajtimin korrekt të tyre. Në disa raste kërkohet një konsultë e përbashkët ndërmjet shumë specialiteteve: kirurgjisë maksilo-faciale, otorinolaringologut, oftalmologut, imazheristit, neurokirurgut etj. Në mjaft raste, me të pa drejtë, mund të bëhen trajtime apo ekstraksione dhëmbësh nga stomatologu, shpesh duke u shtyrë nga këmbëngulja e pacientit për dhimbje nga dhembët e ashtuquajtur sinusale.
Rrugët më të mundshme të zhvillimit të një sinuziti maksilar janë:
-
Rruga rinogjene: gripi, rinitet, infeksionet virale, anomali anatomike si dhe patologji inflamatore të mukozës së hundës.
-
Rruga hematogjene: sëmundje infektive apo gjendje septike lokoregjionale apo sistemike.
-
Rruga traumatike: fraktura të nofullës së sipërme, kompleksit zygomatik dhe hundës.
-
Rruga alergjike: tek të sëmurë me alergji dhe kryesisht me probleme të atopizmit stinor.
-
Rruga odontogjene: sinuziti maksilar odontogjen shkaktohet më shpesh nga:
-
Proceset inflamatore të molarëve të sipërm
-
Kistat odontogjene të këtij regjioni
-
Ndërhyrjet operatore në këtë regjion
-
Gjatë mjekimit të kanaleve të molarëve të sipërm
-
Gjatë procedurave të vendosjes së implanteve
-
Pas osteotomive në kirurgjinë ortognatike
-
Në mjaft raste në praktikë, sinuzitet jo-odontogjene shkaktojnë simptoma të ngjashme me patologjitë e dhëmbëve të nofullës së sipërme, ndërkohë që shpesh dhëmbët e kariuar me komplikacionet e tyre mund të japin sinuzit. Prandaj duhet treguar kujdes i madh në vendosjen e diagnozës dhe të realizohet diagnoza diferenciale midis sinuzitit odontogjen dhe jo-odontogjen.
Simptoma kryesore e sinuzitit është dhimbja, kryesisht pasdite, që përfshin gjysmën e kokës dhe manifestohet në dhëmbët maksilarë të asaj ane. Dhimbja shtohet me lëvizjen apo tronditjen e kokës, si dhe në palpim në fosen kanine ose të regjionit të tuber maksilë. Kjo dhimbje është e karakterit neuralgjik. I sëmuri ka rrjedhje sekrecionesh nga hunda si dhe temperaturë subfebrile.
Sinuziti odontogjen është unilateral dhe në gojë shikohen dhëmbë të prishur, të hequr, rrënjë apo alveolë bosh, si dhe ndonjëherë praninë e fistulës oro-sinuzale. Sinuziti kronik ka një klinikë më pak të ngarkuar, me: sekrecione nga hunda me erë të rëndë, bllokim të saj dhe dhimbje e rëndim të kokës në atë anë.
Bazohet në anamnezë, ekzaminimin klinik të përgjithshëm dhe ekzaminimin objektiv lokoregjional intra- dhe ekstraoral. Në metodat diagnostike ndihmëse, imazheria me CT është metoda më e mirë për të vlerësuar patologjitë e sinusit maksilar, sidomos në prerje transversale dhe koronale. Në radiografi, një sinuzit akut purulent duket me një velaturë homogjene, ndërsa në format polipoze ka një velaturë jo homogjene.
Konsulta ndërdisiplinore që mund të rekomandohen janë: otorinolaringologjike, alergologjike, stomatologjike dhe kirurgji maksilo-faciale. Në shumë raste mund të ndihmojë punksioni probator i meatus nasi inferior (trapanacioni).
Sinuziti akut trajtohet me antibiotikoterapi afërsisht 10-14 ditë. Antibiotikët më të përzgjedhur janë: amoksicilinë, amoksiklav, co-trimoksazol, cefuroksime, azitromicinë, klaritromicinë. Sinuziti kronik trajtohet me antibiotikët e mësipërm për një periudhë rreth 1 muaj e gjysmë, kortikosteroide spray, solucione hipertonike për shpëlarje të hundës, antialergjikë dhe, në dështim të terapisë, përdoret mjekimi kirurgjikal.
Trajtimi kirurgjikal te fëmijët e vegjël duhet të jetë shumë i rezervuar, sepse dëmtohen folikujt dentarë dhe zonat e rritjes kockore. Tek fëmijët rekomandohet që trajtimi kirurgjikal të bëhet me rrugë endoskopike transnazale ose të shtyhet deri në përfundim të rritjes.
Për trajtimin e një sinuziti, orientohemi nga shkaktari, nga klinika dhe nga anatomo-patologjia. Teknikat kirurgjikale më të përdorura janë:
-
F.E.S.S. (functional endoscopic sinus surgery), që përdoret për diagnostikim dhe trajtim
-
Sinusektomia radikale sipas Caldwell-Luc, Denker dhe Jansen-Horgan
Ndërhyrja kirurgjikale kryhet kryesisht me anestezi të përgjithshme, por nuk përjashtohet mundësia me anestezi lokale.